• vor 8 Jahren
Ha hithra dhe i duken si sallatë. E ftoh hekurin e skuqur, cigaren e fik me gjuhë dhe nuk digjet. Thotë edhe se e kanë goditur me çekan në bark, por nuk i është ndalur fryma. Ramiz Ramadani, nga fshati Smirë, i Komunës së Vitisë, që më shumë i ngjan ‘Tarzanit’, të cilin edhe e ka idol, rrëfen për Express aftësitë e tij të jashtëzakonshme, për të cilat pretendon që duhet të jetë edhe pjesë e librit botëror të rekordeve Guinness, por po i mungon përkrahja
Në një fshat të zakonshëm të Kosovës, jeton një njeri i jashtëzakonshëm. Ai sfidon hekurin e skuqur në zjarr, ushqehet me hithra, fik cigaren me gjuhë, ndërsa goditjet e grushteve në bark nuk i vëren fare.
Qysh në takimin e parë shtrëngimi i duarve me të ta jep ndjesinë e një njeriu të fortë. Njihet si modest dhe familjar, por me disa aftësi të rralla. Është ky Ramiz Ramadani nga fshati Smirë i Komunës së Vitisë.
Talentin e tij e zbuloi qysh para 39 viteve, gjatë kohës sa ishte duke u ushqyer së bashku me familjen. Përderisa të tjerët prisnin ushqimin që të ftohet, ai pothuajse e kishte përfunduar të ngrënit.
Nuk i bënte përshtypje avulli që dilte nga pjata e as nxehtësia përvëluese. Nuk e la me kaq dhe filloi ta sfidonte veten me gjëra më ekstreme. Ftohja e hekurit të skuqur në zjarr me gjuhë, ushqyerja me fleta hithi dhe fërkimi i hithit për lëkurën e tij apo edhe fikja e cigares në gjuhë janë diçka krejt e zakonshme për këtë njeri.
Nga bashkëfshatarët njihet si njeri i ndershëm dhe punëtor, një agronom autodidakt, i cili mban familjen nga prerja dhe shitja e drunjve dhe mirëmbajtja e pemëve të bashkëvendësve të tij. Kur ai tregon për aftësitë e veçanta që zotëron, askush nuk i beson.
Tregon se ka fituar baste deri në 2000 euro kur sfidohej nga skeptikët. Edhe pse ai gjithmonë e dëshmonte atë që të tjerët s’e besonin, si zemërgjerë që është të hollat e basteve nuk pranoi t’i merrte asnjëherë.
Ata që e njohin, por edhe ai vetë tregon së edhe ushtarët e KFOR’it kanë dëgjuar për të dhe kanë qenë kurioz ta takojnë. E kanë testuar barkun e tij me grushtet e tyre, por Ramizi ka vazhduar frymëmarrjen normalisht, sikur të mos ishte goditur fare.
Ai nuk e ka në qejf doktorin dhe tregon se nuk ka nevojë as për vizita mjekësore, ani pse tani i ka mbushur 47 vjet. Nuk mban mend se kur ka qenë hera e fundit në spital si dhe as kur ka pasur nevojë për ndonjë medikament mjekësor. Thotë se ndjehet sikur të ishte një 20 vjeçar dhe thekson se është po aq i fuqishëm se para 27 viteve.
Thotë se deri më tani duhet të ishte pjesë e librit Guinness, sepse i ka thyer rekordet botërore aktuale që gjinden në këtë libër, për disiplinat të cilat ai i bën.
Si i vogël e kishte idol Tarzanin dhe nuk e kishte problem edhe ta imitonte. Kërcimi nga pema në pemë për të ishte përditshmëri, ani pse shpesh është qortuar nga familjarët.
Ai tregon se si i ri punoi në perëndim në bartjen me duar të paketimeve të mbushura me pemë, pesha e të cilave sipas tij shkonte deri në 150kg.
“Nga kilogramët e shumtë çizmet më sharronin në baltë deri mbi zogun e këmbës”, thotë Ramizi.
Përveç aftësive të mbinatyrshme ai është edhe një agronom autodidakt. Bashkëvendësit ndihen të lumtur që e kanë Ramizin. Thonë se ai është mjeshtri e doktori i bahçeve dhe vreshtave të tyre. Aftësitë në agronomi i ka dëshmuar edhe në pemët e oborrit të tij. Trupi i dardhës në oborrin e Ramizit, rrit disa lloje dardhe.
Duke qenë i zënë me prerjen e drurëve, atij i bëjnë përshtypje edhe format e veçanta të vizatimeve të cilat natyra i ka paraqitur në brendësi të trupit të drurit. Ai ka gjetur një fytyrë njeriu, hartën e Kosovës, yllin e detit të portretizuar në dru.
Qeni i tij quhet Messi, kjo ngasë pëlqen lojën me top dhe ka një kontroll të mirë të topit. Ramizi gjatë interpretimit në fyell e bën qenin e tij edhe të këndojë.
Jeton një jetë të qetë dhe stabile, i zënë me punë dhe shumë energjik, por e ka vetëm një brengë, që vitet po i shkojnë e aftësitë e veçanta që i ka nuk i kanë shërbyer për diçka më shumë pos argëtimit të të tjerëve dhe të vetvetes. Pret të bëhet pjesë e librit Guinness.

Category

😹
Spaß

Empfohlen